Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski së bashku me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, kanë realizuar një takim të përbashkët me Presidentin e Ukrainës, Vollodimir Zelenski. Kryeministri Kovaçevski shoqërohej nga nënkryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, i ngarkuar për çështje ekonomike, koordinim të resorëve ekonomikë dhe investime, Fatmir Bytyqi, ndërsa takimi u mbajt në margjinat e Samitit të dytë të Komuniteti Politik Evropian në Kishinau.
Kryeministri Kovaçevski theksoi mbështetjen e fuqishme që Maqedonia e Veriut i ka dhënë Ukrainës që nga fillimi i agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar. “Maqedonia e Veriut dënoi agresionin brutal ushtarak që Rusia po kryen kundër Ukrainës së pavarur dhe sovrane. Ne mbështesim sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe të drejtën e saj për të përcaktuar rrugën e vet. Ne kemi ofruar dhe do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje në çdo formë që Ukrainës i nevojitet”, theksoi mes tjerash Kryeministri Kovaçevski.
Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski, falënderoi për mbështetjen të cilën populli ukrainas e merr nga Maqedonia e Veriut, ai vuri në dukje se ajo vjen në momente kyçe. “Ju nuk bëtë kalkulime, keni qenë pranë nesh që nga dita e parë dhe popullit ukrainas dhe ne e vlerësojmë këtë”.
Kryeministri Kovaçevski rikujtoi se Maqedonia e Veriut është pjesë e grupit themelues për themelimin e Gjykatës Speciale Ndërkombëtare për krimet e agresionit, e cila na pozicionoi qartë këtë herë në anën e duhur të historisë. Ukraina është ndër prioritetet gjatë kryesimit të OSBE-së nga Maqedonia e Veriut, në të njëjtën kohë, Maqedonia e Veriut mbështet integrimin euro-atlantik të Ukrainës dhe përkushtimin ndaj politikës së dyerve të hapura të NATO-s.