Ndërtimi i korridoreve 8 dhe 10-d është projekti më i madh strategjik infrastrukturor që është realizuar ndonjëherë në vend, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski në seancën për pyetje të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Ndërtimi i korridorit 8 dhe 10-d është një projekt strategjik me interes nacional për shtetin. Ne lidhim qytetet, vendin tonë me vendet përreth me infrastrukturë rrugore bashkëkohore. Për herë të parë si shtet ne jemi të lidhur me perëndimin dhe lindjen, dhe jo si deri më tani vetëm veriun dhe jugun – ku vetëm disa kompani kishin monopolin e transportit.
Nga një rrethrrotullim në Ballkan, me ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10-d, Maqedonia e Veriut më në fund bëhet një udhëkryq i vërtetë i Ballkanit, një mundësi për të qenë një aks rrugor i rëndësishëm ekonomik në hartën e Evropës.
Ajo që ishte një angazhim strategjik shumëvjeçar i shumë qeverive, kjo Qeveri ka filluar ta zbatojë sot. Këto investime në infrastrukturë janë investim i përhershëm në krijimin e trashëgimisë për gjeneratat e ardhshme”, theksoi Kryeministri Kovaçevski.
Ndërtimi i këtij projekti, siç sqaroi Kryeministri Kovaçevski, nënkupton 8 mijë vende të reja pune, investime të reja prej 1,3 miliardë euro dhe rritje nominale të BPV-së prej 2% në vit në 5 vitet e ardhshme. “Ndërlidhjen që e mundësojnë këto dy korridore nënkupton zhvillim të balancuar rajonal, përmirësim të portofolit ekonomik të shtetit, mundësi për një klimë më të mirë biznesi dhe mundësi për zhvillim më të mirë ekonomik rajonal”.
“Nëse e shohim rajonin, rajonet verilindore dhe jugperëndimore të vendit janë më të varfrat, sepse nuk kanë infrastrukturë rrugore cilësore në 100 vitet e fundit.
Trasetë që po ndërtohen, akset rrugore, hapin një mundësi shtesë për ndërtimin e objekteve të tjera që do të jenë në fushën e shërbimeve, turizmit dhe në fushën e një numri të madh aktivitetesh të tjera, që investitorët do të bëjnë dhe natyrisht, mundësia për të tërhequr investime të reja të huaja, sepse një investitor i huaj, aty ku nuk ka infrastrukturë rrugore, nuk hap një objekt të madh prodhues investues strategjik”, shtoi Kryeministri Kovaçevski.
Autostradat moderne, siç tha Kryeministri, rrisin edhe sigurinë në komunikacion, që do të thotë siguri për qytetarët që udhëtojnë në to.
“Në 32 vitet e fundit në vend janë ndërtuar dhe janë hapur 186 km autostrada ose 5.8 km në vit. Me këtë marrëveshje për korridoret 8 dhe 10-d, parashikohet që në 5 vitet e ardhshme të ndërtohen rreth 110 kilometra autostrada të reja moderne ose 20 kilometra në vit. Sepse kështu ndërtohen autostradat dhe kjo shihet në Serbi, Kosovë, Mal të Zi dhe Shqipëri”, theksoi Kryeministri.
Në pjesën e transparencës, Kryeministri Kovaçevski theksoi se në Marrëveshje nuk ka asgjë të fshehtë, se ky proces ka 2 vite që po vazhdon, se është miratuar një Ligj që është mbështetur nga komiteti drejtues, që të gjitha pikat dhe thelbi ishin para syve të publikut, se deri më tani janë mbajtur disa takime informuese dhe të gjithë zyrtarët e përfshirë në proces janë gjithmonë në dispozicion të gazetarëve për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve dhe derisa të zgjasë i gjithë procesi, të gjitha institucionet do të jenë në dispozicion.
Mënyra e zbatimit të Marrëveshjes, si do të shpenzohen paratë e qytetarëve, e gjithë kjo ka qenë gjithmonë publike dhe e disponueshme si informacion dhe është në dispozicion të të gjitha institucioneve, përfshirë Kuvendin, tha Kryeministri, duke theksuar se “deputetët me certifikatë kompetente do të mund të binden për të gjitha detajet se ato korrespondojnë me ligjin e veçantë të cilin ata e kanë miratuar”. “Shteti ka mundësi t’i ndërtojë autostradat brenda afatit të caktuar nga Qeveria, në afat prej 4 vite e 7 muaj, ose të pranojë që të ndërtohen sipas rregullores ekzistuese, që do të thotë një kohë më e gjatë ndërtimi që kemi parë. deri më tani në autostrada anembanë vendit”, shtoi Kryeministri Kovaçevski, duke kujtuar autostradën Kërçovë-Ohër, për të cilën deri më tani janë shpenzuar 600 milionë euro, por nuk është hapur për shkak të projektimit të dobët të trasesë.
“Sa i përket eksproprijimit – ndryshimet e propozuara, të cilat janë në procedurë parlamentare, janë të vlefshme dhe aktualisht janë të përfshira në zgjidhjen aktuale. Dhe tani ndërtimi i aksit rrugor vazhdon pa procedurë dytësore. Me ndryshimet në Ligjin për ndërtim ka një procedurë dhe sistem të ri për ndërtim, me të cilin së pari miratohet projekti urbanistik me të cilin do të përcaktohet traseja pas së cilës do të fillojë procedura për shpronësimin e tokës”, tha Kryeministri Kovaçevski.
Pagesa e parë e kësaj Marrëveshje, siç u kumtua, është për paradhënien për fillimin e punimeve ndërtimore.
“Çdo denarë që do t’i paguhet nga shteti Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore dhe më pas kompanisë, do të publikohet në Financa të Hapura dhe qytetarët do të dinë saktësisht se për çfarë po paguhen mjetet”, tha në Kuvend Kryeministri Dimitar Kovaçevski