Klubi futbollistik Shkëndija Haraçinë ka publikuar sot një reagim zyrtar pas ndeshjes së zhvilluar në stadiumin e Prilepit, ku sipas klubit janë regjistruar skena të papranueshme që nuk i ngjajnë frymës sportive dhe vlerave që përfaqëson futbolli.
Në deklaratë, klubi thekson se ajo që ndodhi në tribuna dhe rreth fushës nuk ka vend në një aktivitet sportiv. Sipas Shkëndijës së Haraçinës, fyerjet racore, provokimet dhe sjelljet e shëmtuara ndaj lojtarëve dhe tifozëve e dëmtojnë imazhin e futbollit dhe vetë garës.
“Fyerjet racore, provokimet dhe sjelljet e shëmtuara nuk e ndihmojnë sportin – përkundrazi, ato e dëmtojnë imazhin e futbollit, klubit dhe vetë garës. Si klub, ne i dënojmë ashpër këto veprime të turpshme që cenojnë dinjitetin dhe sigurinë e lojtarëve dhe tifozëve tanë,” thuhet në reagim.
Shkëndija Haraçinë kërkon nga Federata e Futbollit që të marrë masa të menjëhershme ndaj organizatorëve të ndeshjes dhe të vendosë sanksionet e merituara për të mos lejuar përsëritjen e incidenteve të tilla në të ardhmen.
Klubi mbyll reagimin me mesazhin se futbolli është lojë që duhet të bashkojë njerëzit dhe jo t’i ndajë.










