Kryetari i Alternativës dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi në rrjetin social facebook, ka shkruar se VLEN-i është fitues në 10 komuna dhe forca e dytë politike në RMV.
Ibrahimi ka thënë se rezultati i sotëm është një sukses me përmasa historike në misionin e tyre politik.
“VLEN-i është fitues në 10 komuna dhe forca e dytë politike në RMV
Sonte, kur u përmbyll edhe raundi i dytë i zgjedhjeve, dëshiroj t’i falënderoj nga zemra të gjithë votuesit, aktivistët, mbështetësit dhe të gjithë ata që e deshën dhe e korrën këtë fitore historike.
Edhe pak ditë bëhen 11 vjet qëkur e nisëm këtë rrugë dhe sonte e pensionuam një klasë politike të konsumuar e të harxhuar. Ky është një sukses me përmasa historike në misionin tonë politik.
Çairi, Tetova, Dibra, Struga, Saraji, Haraçina, Zhelina, Tearca, Bogovina dhe Dollneni janë komunat që në katërvjeçarin e ardhshëm do të qeverisen nga kryetarë të rinj të VLEN-it.
Raundi i dytë na e solli edhe 5-shen e dytë. Urime Bilall Kasami, Fisnik Mela, Mendi Qyra, Feti Abazi dhe Blerim Islami! (Ndonëse rezultati nuk e favorizoi, fitues i zemrave tona është Haqim Ramadani.)
Ju priftë e mbara të gjithëve!
Prej nesër fillon puna”, ka shkruar Ibrahimi.









