Heqja e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës po konsiderohet si lehtësim për mjekët e infermierët që kanë synim që ta vazhdojnë ushtrimin e profesionit jashtë vendit.
Madje, nga përfaqësuesit e këtij komuniteti, thonë se tani çfarëdo mase që do të ndërmarrë qeveria për përmirësimin e kushteve të profesionistëve shëndetësor, do të jetë vonë.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu thotë se liberalizimi i vizave për kosovarët në zonën Schengen, do të ndikojnë të rritet numri i mjekëve nga Kosova.
Ai thekson se efektet e kësaj ikje të mjekëve, do të ndihen brenda një periudhe pesë vjeçare.
“Gjithsesi ky proces i liberalizimit të vizave i mirëseardhur për të gjithë qytetarët në rritjen ndoshta të mjekëve që do të largohen dhe kjo ndoshta lehtësohen kontakti i drejtpërdrejtë me menaxherët, me autoritetet që janë për punësim apo për sistematizimin e tyre, qoftë edhe për shumë aktivitete të tjera të ndërlidhëse me procedurën e dhënies së lejes së punës, duke përfshirë edhe çështjen e gjuhës gjermane apo shteteve ku largohen”, thotë ai.
Kryetari i Sindikatës së Infermierëve, Përparim Berisha po ashtu u shpreh se heqja e vizave, do të krijojë lehtësira të mëdha që edhe stafi infermieror të vazhdojë punën jashtë vendit.
Ai tha se aktualisht ka mungesë të infermierëve, por kjo do të jetë edhe më e theksuar në të ardhmen.
“Unë mendoj se kjo është një hapësirë shumë e madhe për infermierët të cilët do të kenë mundësi që direkt të shkojnë dhe të kontaktojnë me punëdhënësit gjerman edhe pse deri tash kanë shkuar përmes agjencioneve të ndryshime, sigurisht që procedura ka qenë më e gjatë se deri më tash…ka mungesë të madhe të infermierëve, po flas gjithmonë për QKUK, ku është si qendër e ofrimit të shërbimeve shëndetësore, ku ka klinika ku 1 infermierë do të kujdeset deri në 27 pacientë, por me këtë ikje të infermierëve, sigurisht që mungesat do të jenë shumë më të mëdha dhe sigurisht niveli i kujdesit ndaj pacientëve do të bie për shkak të mungesës së infermierëve”, shprehet ai.
Berisha shtoi se pavarësisht masave që do të ndërmarrin institucionet përgjegjëse, nuk do të prodhojnë rezultate në ndaljen e eksodit të infermierëve.
“Sipas të dhënave që kemi ne, janë diku rreth 220 infermierë të cilët e kanë braktisur Kosovën, shto këtu faktin që mbi 2.500 janë në proces, kanë kontrata, qoftë me agjencion të ndryshime brenda Kosovës, qoftë edhe me agjencione të tjera në Gjermani…Unë besoj se çfarëdo masash që do të merren tash, qoftë nga ministria, qoftë nga qeveria, do të jetë vonë sepse këta infermierë tashmë veç kanë kontrata ”, deklaroi Berisha.
E ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u shpreh se dukuria e ikjes së profesionistëve shëndetësor edhe pa liberalizim të vizave po ndodh, por theksoi se kanë ndërmarrë masat që të parandalohet ky fenomen.
“Kjo mundësi ekziston edhe sot dorën në zemër, prandaj Qeveria ka marrë të gjitha masat të parandaloj këtë fenomen. E para tash jemi ndër vendet e para sa i përket pagave të mjekëve, specialistëve në rajon dhe e dyta, po punojmë intensivisht në përmirësimin e kushteve të punës për këta mjekë dhe pajisjeve të kohës për t’u dhënë mundësi që mjekët specialistët të kenë mundësi zhvillimi”, thekson Vitia.
E sistemi shëndetësor në Kosovë viteve të fundit është përballur me ikje të madhe të mjekëve dhe në veçanti të infermierëve. Vetëm në vitin 2022, ishin 205 mjekë të rinj që ikën jashtë Kosovës, derisa rreth 60 specialistë shëndetësor e lanë Shërbimi Spitalor Klinik Universitar të Kosovës për të vazhduar të punojnë në spitalet privat në vend, ku u ofruan paga shumë më të mira.
Ndërsa, rreth 630 infermierë shkuan në vendet evropiane për të punuar.
Më 18 prill, Parlamenti Evropian e miratoi vendimin për vizat për Kosovën, që i hapi rrugën qytetarëve të vendit që të lëvizin pa viza në vendet e zonës Schengen nga 1 janarit të vitit 2024. Ndërsa, një ditë më vonë në Strasburg është nënshkruar akti ligjor i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën. /Kosovapress