Qytetarët që nuk i përkasin kategorive të rrezikuara, por duan të mbrohen nga gripi sezonal, mund të vaksinohen në qendrat e shëndetit publik në të gjithë vendin. Janë siguruar gjithsej 2.400 vaksina, prej të cilave 1.000 doza janë të disponueshme në Qendrën e Shëndetit Publik – Shkup. Interesimi për vaksinim është i madh, Brenda ditës janë vaksinuar rreth 200 qytetarë.
“Qytetarët po vijnë, ka interesim dhe po bëhet rrëmujë sepse është dita e parë. Krahasuar me vitin e kaluar, të gjitha dozat që i kishim i shpenzuam, madje kishte nevojë edhe për më shumë vaksina. Mendoj se do t’i shpenzojmë të gjitha sasitë që i kemi në dispozicion, sepse janë 80.000 nga Ministria e Shëndetësisë. Interesimi është i madh edhe tek ata që janë me vetpagesë.”, – deklaroi epidemiologia në Qendrën e Shëndetit Publik, dr. Lulzime Bajrami.
Imunizimi kundër gripit sezonal filloi muajin e kaluar. Qytetarët thonë se kanë përvojë pozitive, dimrin e kalojnë pa probleme, prandaj edhe nuk hezitojnë të vaksinohen çdo vit.
“Vaksinohem për arsye sigurie, që të mos sëmurem nga gripi dhe të mos ua transmetoj nipërve. Vaksinohem me vaksinën komerciale.”, – tha një qytetar.
“Prej gjashtë vitesh vaksinohem. Mbrojnë, që atëherë nuk jam ftohur.”, – tha një qytetar tjetër.
“Ndihmon, edhe nëse sëmuresh, e kalon më lehtë.”, – u shpreh një qytetar.
“Vitin e kaluar e kalova mirë, vetëm me një ftohje të lehtë.”, – u shpreh një qytetare tjetër.
Ministria e Shëndetësisë informon se për vaksinimin kundër gripit sezonal për kategoritë e rrezikuara të popullsisë deri më tani janë paraqitur mbi 76 mijë qytetarë, ndërsa janë vaksinuar më shumë se 43 mijë persona në të gjithë vendin. Gjithashtu, ka filluar vaksinimi me vaksinat komerciale në Qendrën për Shëndet Publik – Shkup, ndërsa gjatë javës do të fillojë vaksinimi edhe në qendrat e tjera për shëndet publik në mbarë vendin. Ka filluar imunizimi me vaksinat komerciale që kushtojnë 700 denarë. Ekipet e Qendrës për Shëndet Publik – Shkup kryejnë vaksinimin çdo ditë pune nga ora 07:30 deri në 14:30.(TVM2)









