Shkup, 30 tetor – Gjatë javës së 43-të të vitit 2025, nga data 20 deri më 26 tetor, në vend janë regjistruar gjithsej 56 raste të raportuara të grupimeve të personave që vuajnë nga gripi ose sëmundje të ngjashme me gripin, njoftoi Instituti i Shëndetit Publik (ISHP). Ky numër paraqet një rënie prej 32.5 për qind krahasuar me javën e kaluar, duke treguar një ngadalësim të përkohshëm të përhapjes së virusit respirator në këtë periudhë.
Për krahasim, në javën e 43-të të sezonit të kaluar ishin regjistruar 42 persona të sëmurë, që përbënin një rritje prej 33.3 për qind, ndërsa krahasuar me modelin e 15 sezoneve të fundit është evidentuar një rënie prej 10.5 për qind, theksoi ISHP-ja.
Sipas të dhënave zyrtare, rastet e reja janë regjistruar në qytetet: Gostivar – 20, Kumanovë – 15, Prilep – 7, Tetovë dhe Radovish – nga 5, si dhe në Strumicë dhe Makedonski Brod – nga 2 raste. Kjo tregon se aktiviteti më i lartë i virusit është përqendruar në pjesën veriore dhe perëndimore të vendit.
Sa i përket moshës së personave të prekur, janë regjistruar 48 persona të moshës 15-64 vjeç, 5 persona mbi 65 vjeç, 2 persona të moshës 5-14 vjeç dhe 1 rast i grupmoshës 0-4 vjeç. Incidenca e raportuar prej 22.03 raste për 100.000 banorë mbetet nën kufirin javor të aktivitetit sezonal të virusit të gripit, që do të thotë se sezoni aktiv ende nuk ka filluar.
Në sezonin aktual 2025/2026, numri i përgjithshëm i rasteve të raportuara të gripit dhe sëmundjeve të ngjashme me gripin ka arritur në 244. Krahasuar me të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar, kjo përfaqëson një rritje prej 64.9 për qind, ndërsa në raport me modelin e 15 sezoneve të fundit është regjistruar një rritje prej 21.9 për qind. Këto të dhëna tregojnë se, megjithëse gjatë javës së fundit është vërejtur një ulje e rasteve, trendi i përgjithshëm sezonal mbetet në rritje.
Instituti i Shëndetit Publik rikujton se vaksinimi kundër gripit sezonal është masa më efektive e mbrojtjes kundër kësaj sëmundjeje. ISHP rekomandon që vaksinimi të kryhet nga e gjithë popullata, veçanërisht nga personat që i përkasin grupeve të rrezikut, në përputhje me udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH): të moshuarit mbi 65 vjeç, fëmijët e moshës 6-59 muajsh, personat mbi 6 muaj me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor.
Sipas të dhënave të Administratës së Shëndetit Elektronik, që nga fillimi i fushatës së vaksinimit dhe deri në përfundimin e raportit, janë vaksinuar gjithsej 31,289 persona nga kategoritë e popullsisë në rrezik me vaksina falas të siguruara nga shteti. ISHP apelon qytetarët të vaksinohen në kohë për të shmangur komplikimet e mundshme dhe për të kontribuar në mbrojtjen e përgjithshme të shëndetit publik gjatë muajve të ardhshëm, kur pritet intensifikimi i qarkullimit të virusit të gripit.
Dr. Ermira Sadiku për gazetën KOHA, tha se kjo është një ecuri e pritshme për periudhën e tanishme të vitit, kur temperaturat fillojnë të bien dhe kontaktet ndërpersonale në ambiente të mbyllura shtohen. Është e rëndësishme të theksohet se, edhe pse aktiviteti i virusit ende nuk ka arritur nivelin e pragut sezonal, ne jemi në fazën paraprake të sezonit të gripit. Kjo do të thotë se javët në vijim janë vendimtare për parandalim dhe mbrojtje efektive.
Prandaj, vaksinimi kundër gripit sezonal mbetet masa më e sigurt dhe më efikase për të parandaluar sëmundjen dhe komplikimet e saj, sidomos te personat me sëmundje kronike, të moshuarit, fëmijët e vegjël dhe gratë shtatzëna, shtoi ajo. (koha.mk)










