Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se deri më tani janë regjistruar 188 raste me grip, që paraqet një rritje prej 77 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe 36 për qind më shumë se mesatarja e 14 sezoneve të fundit. Numri më i madh i të sëmurëve është në Gostivar, ku deri tani janë raportuar 79 raste, ndërsa incidenca më e lartë është regjistruar në Makedonski Brod. Instituti konfirmon gjithashtu se deri më tani janë evidentuar dy persona të vdekur, rastet e të cilëve lidhen me gripin.
Paralelisht me rritjen e numrit të përgjithshëm që nga fillimi i sezonit, tashmë vërehet një përhapje më e shpejtë edhe në nivel javor.
ISHP
“Në periudhën nga 13 deri më 19 tetor janë raportuar 83 raste të sëmundjeve të ngjashme me gripin, që paraqet një rritje prej 66 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe pesë për qind më shumë se javën paraprake”.
Aktualisht më të prekur janë Gostivari dhe Tetova, me nga 30 dhe 12 raste të reja brenda asaj jave, ndërsa pasojnë Kumanova, Prilepi, Makedonski Brod, Strumica, Negotina dhe Radovishi.
ISHP sqaron se shumica e rasteve të raportuara janë persona të moshës nga 15 deri në 64 vjeç, gjë që sipas epidemiologëve është e pritshme, pasi kjo grupmoshë është më aktive dhe më shpesh në kontakt me njerëz të tjerë. Megjithatë, incidenca ende është në nivel ndërsezonal – 4,5 të sëmurë për 100.000 banorë – që do të thotë se sezoni i gripit ende nuk është shpallur zyrtarisht, por rritja është një sinjal i qartë se virusi ka filluar të qarkullojë në mënyrë aktive.
Autoritetet shëndetësore theksojnë se parandalimi fillon me vaksinën. Ministria e Shëndetësisë, për sezonin 2025/2026, ka siguruar rreth 80.000 doza të vaksinës katërvalente për grupet e rrezikuara – persona mbi 65 vjeç, të sëmurë kronikë, gra shtatzëna, fëmijë nga gjashtë muaj deri në pesë vjeç dhe punonjës shëndetësorë. Këto vaksina po shpërndahen përmes qendrave të shëndetit publik dhe përmes regjistrimit elektronik. Deri në mesin e tetorit, janë vaksinuar 13.273 persona nga kategoritë prioritare, ndërsa për qytetarët që nuk bëjnë pjesë në grupet e rrezikuara janë siguruar edhe 2.400 doza komerciale shtesë. Vetëm në ditët e para të fushatës së imunizimit, dhjetëra mijëra qytetarë kanë caktuar termine për vaksinim, gjë që autoritetet shëndetësore e interpretojnë si rritje të vetëdijes pas përvojës me pandeminë. /SHENJA/









