Lajme24.mk
  • Ballina
  • Lajme
    • Maqedoni
    • Rajon
    • Botë
  • Showtime
  • Sport
  • Life
  • Tech & Fun
No Result
View All Result
  • Ballina
  • Lajme
    • Maqedoni
    • Rajon
    • Botë
  • Showtime
  • Sport
  • Life
  • Tech & Fun
No Result
View All Result
Lajme24.mk
No Result
View All Result
Home Lajme Rajon

Grevë e përgjithshme në Serbi, aksion edhe në Mitrovicë të Veriut

24/01/2025
0
SHARES
4
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Në të gjithë Serbinë është duke u mbajtur të premten një grevë e përgjithshme.

Në këtë aksion, qytetarët janë ftuar nga studentët, të cilët për më shumë se dy muaj bllokojnë fakultetet, duke kërkuar përgjegjësi penale dhe politike për vdekjen e 15 personave nga shembja e strehës në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor.

Greva e përgjithshme ose “mosbindja e përgjithshme civile”, siç e quajnë studentët ndryshe, nënkupton ndërprerje të plotë të punës dhe të çdo aktiviteti tjetër të përditshëm, si: shkuarja në dyqane apo restorante, kinema, teatër e të tjera.

Studentët u kanë sugjeruar punonjësve që kanë frikë nga reagimi i punëdhënësve të tyre, “të marrin ditë pushimi, të hapin pushim mjekësor ose të dhurojnë gjak”.

Më shumë se 200 kompani kanë konfirmuar më herët se do t’i pezullojnë operacionet, në solidaritet me studentët.

Mbështetje për studentët kanë ofruar figura të shumta publike, aktorë, këngëtarë, sportistë, punonjës të medias, si dhe individë nga profesione të tjera, si avokatë, gjyqtarë, prokurorë, mjekë, edukatorë, e po ashtu edhe politikanë të opozitës në Serbi.

Në të njëjtën ditë që po mbahet greva e përgjithshme, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, organizon një tubim në Jagodinë – qytet në Serbinë qendrore – në të cilin pritet të formohet “Lëvizja për popullin dhe shtetin”.

Kësaj lëvizjeje, siç ka thënë ai, do të mund t’i bashkohen të gjithë, pavarësisht përkatësisë partiake.

Në fokus të saj, sipas tij, do të jetë e ardhmja e Serbisë.

“Ky tubim nuk është kundër askujt, por tubim për t’i bashkuar të gjithë njerëzit e zgjuar dhe normalë në Serbi”, ka shkruar Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.

Autoritetet në Serbi pretendojnë se në organizimin e protestave të studentëve janë të përfshira shërbimet e huaja të inteligjencës dhe se mes studentëve ka “mercenarë të huaj”.

Sipas tyre, këtë e dëshmon fakti se bllokadat e studentëve nuk ndalen, edhe pse kërkesat e tyre janë plotësuar – gjë që hidhet poshtë nga studentët.

Kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin e 1 nëntorit, 2024.

Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale.

Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.

Pesëmbëdhjetë minuta heshtje edhe në Mitrovicë të Veriut

Ndërkohë, në shumë qytete anembanë Serbisë janë mbajtur sot 15 minuta heshtje, për të nderuar 15 viktimat e Novi Sadit.

I njëjti aksion, me disa dhjetëra qytetarë, është mbajtur edhe në Mitrovicë të Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.

Sërgjan Gjorgjeviq, i cili bëri thirrje që ky aksion të mbahet në shenjë solidariteti me studentët në Serbi, tha se në këto rrethana në Kosovë “nuk është e lehtë të shprehet mendimi, qëndrimi apo solidariteti”.

“Përkundër kësaj, ne jemi sot këtu”, tha ai.

Aksioni i 15 minutave heshtje është mbajtur para Fakultetit Filozofik në Mitrovicë të Veriut, i cili funksionon në kuadër të Universitetit të Serbisë.

Para nisjes së aksionit, ky fakultet është distancuar nga organizimi i tij, ndërsa Parlamenti studentor u ka bërë thirrje studentëve në Serbi që të distancohen nga mbështetja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Ai që ju ka mbështetur, po na vret dhe po na dëbon”, thuhet, ndër të tjera, në deklaratë.

Aty theksohet se studentët në Kosovë kanë nevojë që “Serbia të jetë e fortë dhe e qëndrueshme politikisht dhe ekonomikisht – një vend me institucione të forta me sundim të ligjit, që ka mirëkuptim dhe miq si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim”.

Megjithatë, disa studentë të Fakultetit Filozofik në Mitrovicë të Veriut janë distancuar nga kjo deklaratë, duke thënë se Parlamenti studentor nuk është mbledhur në ndonjë seancë dhe se deklarata e publikuar është “e turpshme dhe keqdashëse”.

Përndryshe, Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Novi Sad ka ngritur aktakuzë kundër 13 personave në lidhje me shembjen vdekjeprurëse të strehës në Stacionin Hekurudhor të qytetit./rel

Previous Post

Enis Bardhi bëhet me ekip të ri

Next Post

Zhegrova mungon edhe këtë fundjavë, e konfirmon trajneri i Lillet

Related Posts

Aktuale

Osmani shpërthen ndaj BE-së në Tiranë: I keni hapur derën atyre që shkojnë te Putini dhe bllokoni Kosovën

16/05/2025
Rajon

Firma e sanksionuar serbe eksportoi pjesë avionësh në Rusi, përfshirë edhe nga SHBA

16/05/2025
Aktuale

Costa: Qëndrueshmëria dhe besimi, parimet kyç në procesin e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor

16/05/2025
Botë

Kroaci: E përndoqi 26 vjeçaren dhe tentoi ta vriste mikun e saj, arrestohet shqiptari

15/05/2025
Rajon

Tërmet pranë ishullit grek, shkakton alarm për cunami

14/05/2025
Rajon

Politikani serb publikoi imazhe: Vuçiq është ulur në rreshtin e fundit pas shefit të tij, Putin

09/05/2025
Next Post

Zhegrova mungon edhe këtë fundjavë, e konfirmon trajneri i Lillet

KURIR/Analizë: A po e izolon bashkësia ndërkombëtare Ali Ahmetin?

17/05/2025

A do të përfshijë partneriteti strategjik heqjen e vizave për Maqedoninë? Ja çfarë thotë ambasadori britanik

17/05/2025

Taravari: VLEN nuk përfillet në Qeveri, ASH nuk është mësuar të jetë dekor

17/05/2025
Lajme24.mk

Shoqëria për tregti dhe shërbime
“AKTUALE” SHPKNJP – Shkup

email: lajme24.mk@gmail.com

Browse by Category

  • __kateg
  • __kateg
  • Aktuale
  • Biznes
  • Botë
  • Intervista
  • Islam
  • Kosovë
  • Lajme
  • Life
  • Maqedoni
  • OPINIONE
  • Rajon
  • Shëndet & Style
  • Shëndet & Style
  • Showbiz
  • Showtime
  • Shqipëri
  • Sport
  • Style
  • Tech & Auto
  • Tech & Fun

Follow Us

  • Ballina
  • Lajme
  • Showtime
  • Sport
  • Life
  • Tech & Fun

© 2023 Lajme24.mk

No Result
View All Result
  • Ballina
  • Lajme
    • Maqedoni
    • Rajon
    • Botë
  • Showtime
  • Sport
  • Life
  • Tech & Fun

© 2023 Lajme24.mk