Komisioni Evropian ka publikuar raportet e zgjerimit për të gjitha shtetet kandidate, ndërsa raporti për Serbinë është më i ashpri që nga fillimi i negociatave për anëtarësim. Kritikat më të mëdha lidhen me prapambetjen në fushën e demokracisë, të drejtave themelore dhe lirisë së mediave.
Në raport thuhet:
“Në Serbi ekzistojnë sfida në funksionimin e institucioneve demokratike për shkak të polarizimit politik në rritje, si në nivel kombëtar ashtu edhe lokal. Rënia tragjike e kulmit në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona, shkaktoi protesta masive studentore dhe qytetare në gjithë vendin, të cilat vazhdojnë ende”, thuhet në raport, sipas N1.
Autoritetet serbe, sipas raportit, lejuan zhvillimin e protestave, teksapolicia siguroi rendin publik. Megjithatë, u regjistruan disa incidente dhe sulme ndaj studentëve e protestuesve paqësorë, përfshirë sulme që shkaktuan lëndime të rënda dhe akte dhune ndaj pronave të personave apo bizneseve që mbështesnin protestat. U raportuan gjithashtu edhe sulme ndaj zyrave të partisë në pushtet.
Nga fundi i qershorit, autoritetet miratuan një qasje më represive – me arrestime të shumta dhe raporte për përdorim të tepruar të forcës ndaj demonstruesve. Zyrtarët e Serbisë shpesh i përshkruan protestat si “revolucion me ngjyra” të mbështetur nga jashtë, duke e portretizuar si tentativë për rrëzim të rendit kushtetues dhe duke zbehur legjitimitetin e kërkesave të studentëve.
Në të njëjtën kohë, VUçiq fali disa persona përgjegjës për sulme ndaj studentëve, por edhe disa prej vetë demonstruesve, duke i shpëtuar nga ndjekja penale. Universitetet publike mbetën të bllokuara dhe procesi mësimor u pezullua për muaj të tërë; ligjëratat u rifilluan vetëm pjesërisht në fund të qershorit.
Masat qeveritare në fushën e arsimit dhe kërkimeve shkencore, sipas raportit, “kanë cenuar autonominë institucionale dhe liritë akademike”, përfshirë uljen e përkohshme të pagave të stafit akademik dhe kufizimin e orëve të punës për kërkime shkencore.
Kritikat kryesore të Komisionit Evropian
Në fushën e medias dhe shoqërisë civile, situata është vlerësuar si përkeqësim:
Janë regjistruar sulme, paditë SLAPP, intimidime dhe arrestime të gazetarëve.
Organe rregulluese dhe shërbime publike nuk janë të pavarura, dhe skena mediatike është nën “ndikim politik dhe përqendrim të pronësisë”.
Komisioni kërkon që Serbia të sigurojë “pluralizmin, pavarësinë dhe cilësinë e raportimit”.
Në fushën e sundimit të së drejtës dhe korrupsionit, raporti thekson:
Përpjekjet për ndikim politik në drejtësi minojnë demokracinë.
Korrupsioni mbetet në nivel të lartë, dhe lidhja mes krimit të organizuar dhe politikës si dhe mungesa e rezultateve në ndjekjen penale janë ende probleme kyçe.
Është nevojshme parandalimi i “kapjes së shtetit” (state capture) dhe sigurimi i një mbikëqyrjeje efikase mbi konfliktin e interesave dhe pasuritë e funksionarëve.
Sa i përket dialogut me Kosovën, Serbia dhe Kosova pritet të zbatojnë të gjitha obligimet e tyre nga marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit për zbatimin e saj, si dhe të gjithë marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut.
Nga Serbia pritet të fillojë zbatimin e obligimeve të veta duke pranuar dokumentet, simbolet dhe institucionet e Kosovës, ndërsa nga Kosova pritet të nisë procesin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.










