Vendit i duhet një kod i ri zgjedhor, të cilën do të duhet ta propozonte Qeveria, por nëse këtë nuk do ta bënte Qeveria, atëherë këto ndryshime do t’i propozojnë deputetët, tha mes tjerash numri një i Kuvendit, Afrim Gashi, gjatë një brifingu me gazetarët.
Gashi më tej shtoi se në këto ndryshime do të preken të gjitha çështjet siç janë: rekomandimet e OSBE/OHDIR-it, mënyra e financimit të fushatave zgjedhore, mënyra e kandidimit të kandidatëve të pavarur, censusi, por edhe modeli zgjedhor, siç është organizmi i zgjedhjeve në një njësi zgjedhore.
Gashi theksoi se të gjitha këto ndryshime duhet të sillen në një konsensus dhe në këtë konsensus duhet të përfshihen të gjitha çështjet rreth modelit zgjedhor.
Sipas Gashit, rreth kësaj çështjeje kanë qenë të pajtimit edhe koordinatorët e grupeve parlamentare dhe ky model i ri të mos jetë shkas për ndarje dhe përçarje, por të jetë çështje e unifikimit.
Gashi para gazetarëve foli edhe për afatet ligjore, se kur do të shpallen zgjedhjet lokale në katër komunat, ku nuk kishte census në rrethin e parë.
Sipas tij, kjo do të realizohet në bashkëveprim dhe në koordinim me Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.
Spikeri i Kuvendit po ashtu tha se nuk planifikohet hapja e Kushtetutës, por sipas tij pritet intensifikimi i bisedimeve për anëtarësim në BE dhe pastaj të gjendet zgjidhja e pranueshme.
Gashi në fund theksoi se edhe propozim-buxheti për vitin 2026 tanimë është pjesë Kuvendit dhe se seanca plenare për të pritet të mbahet më datë 9 dhjetor dhe debati do të zgjasë dy deri në tre ditë. (Fitim Kryeziu, TVM2)










