Zëvendëskryeministri dhe përfaqësuesi i koalicionit VLEN, Arben Fetai, ka akuzuar sot Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) për përdorimin e retorikës populiste dhe nacionaliste me qëllim shmangien e përgjegjësisë për korrupsionin dhe dështimet gjatë dy dekadave të fundit.
“Sot po përballemi me një valë të re të populizmit dhe nacionalizmit të rremë nga BDI-ja, një parti që për 22 vjet premtoi barazi dhe përparim, por solli vetëm korrupsion, shtypje dhe stagnim,” deklaroi Fetai.
Ai kritikoi ashpër liderët e BDI-së, Ali Ahmeti dhe Bujar Osmani, për përdorimin e sloganeve që sipas tij nxisin ndasi dhe frikë mes qytetarëve.
“Kur Ali Ahmeti thotë ‘do të ndodhë populli’, ai ringjall një frazë të rrezikshme, të përdorur për herë të parë nga Sllobodan Millosheviç për të nxitur urrejtje dhe konflikt në ish-Jugosllavi. Kjo është një thirrje që rrezikon paqen dhe unitetin,” u shpreh Fetai.
Zëvendëskryeministri akuzoi më tej BDI-në për dështime të shumta në përmbushjen e Marrëveshjes së Ohrit, përfshirë zyrtarizimin e gjuhës shqipe dhe krijimin e barazisë reale mes qytetarëve.
“Sot, Marrëveshja e Ohrit është kthyer nga një akt paqeje në një instrument klientelizmi dhe vasaliteti. Shqiptarët janë lënë të anashkaluar, të varfër dhe pa shpresë,” tha ai.
Fetai gjithashtu e cilësoi hipokrizi faktin që BDI sot flet për nënçmim të shqiptarëve, ndërkohë që, sipas tij, vetë ka qenë përgjegjëse për përjashtimin e tyre nga mundësitë.
“Po këta që sot flasin për ‘vasalitet’, ishin dikur skllevërit politikë të Nikolla Gruevskit dhe Sasho Mijallkovit,” theksoi ai.
Duke kritikuar qasjen e BDI-së ndaj zgjedhjeve lokale, Fetai akuzoi partinë për përpjekje për t’i shndërruar ato në një “referendum fiktiv kombëtar”, duke shmangur problemet reale të qytetarëve si infrastruktura, furnizimi me ujë, rrugët dhe kanalizimi.
“BDI nuk ka as moralin dhe as kredibilitetin të flasë në emër të ‘popullit’. Ata e kanë kthyer shqiptarët në pronë të partisë, ndërsa elita e tyre politike është pasuruar përmes korrupsionit ndëretnik,” u shpreh Fetai.
Në fund të deklaratës së tij, Fetai u bëri thirrje qytetarëve të refuzojnë retorikën populiste dhe përçarëse.
“Ne synojmë një Maqedoni të Veriut evropiane, ku vlerat themelore janë drejtësia, zhvillimi, qeverisja e mirë dhe dinjiteti për çdo qytetar. Le t’i themi mjaft populizmit të BDI-së dhe të ecim përpara drejt një shteti të fortë, të bashkuar dhe të drejtë,” përfundoi ai.