41,1 përqind. Mbase vetëm publikimi i statistikave policore të kriminalistikës mund ta bëjë Gjermaninë të kuptojë, sa shumë është futur ndërkohë pornografia në jetën e përditshme të të rinjve dhe madje dhe të fëmijëve. 41,1 përqind është përqindja e të minturve në shpërndarjen e përmbajtjeve pornografike për të rinjtë dhe fëmijët. Megjithëse, këta shpesh as nuk e dinë se kryjnë vepër penale të dënueshme kur shpërndajnë fotografi të papërshtatshme në WhatsApp, Instagram ose Snapchat.
Por në këtë mes duhet të bëjmë më parë një dallim: Kur flasim për ndikimin e pornografisë ndaj fëmijëve dhe të rinjve kemi të bëjmë me filmime që tregojnë dhunë seksuale dhe i kapërcejnë kufijtë e lejuar për të miturit dhe të rinjtë. Në rastin e të dhënave të ekspertëve të policisë fjala është më shumë për filma ku abuzohen fëmijë, prodhimi, shpërndarja ose aksesi i të cilëve është i dënueshëm. Por edhe e dënueshme është edhe të vendosësh në dispozicion të fëmijëve dhe të rinjve.filma pornografikë ku tregohen aktivitete seksuale mes të rriturve.
Ndërkohë që ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser, u ndje e detyruar të jepte shpjegime gjatë prezantimit të statistikave, për Tabea Freitagun ato nuk janë të papritura. Ajo është psikologe dhe psikoterapiste dhe drejton Qendrën e specializuar “Return” për njerëzit e varur nga mediat. Sipas këtu kemi të bëjmë me një “fenomen ajsbergu”
Sepse konsumi, shpërndarja dhe madje shpërndarja e materialeve me përmbajtje pornografie ka të bëjë me mungesën për një kohë të gjatë të sensibilizimit ndaj konsumit masiv të pornografisë për të rritur. Megjithëse, siç thotë edhe Freitag, të krijosh askes tek materialet pornografike për konsumatorët nën moshën 18-vjeç, është e ndaluar nga ligji 184 i Kodit Penal.
“Fëmijët bien për herë të parë në kontakt me pornografinë në moshën mesatare rreth 11 vjeçare, mbase sepse kanë ndërkohë një celular të vetin dhe zakonisht lihen vetëm me përvojat në rrjet,” thotë Freitag dhe kritikon: “Ne kemi një skandal të madh abuzimi, por të tabuizuar në shoqëri, sepse të konfrontosh fëmijët me pornografi është një formë e abuzimit seksual. Ai ndikon shumë në zhvillimin e tyre psikosocial dhe seksual.”
Pornografia krijon imazh të gabuar për seksin
Freitag tregon për familje, ku vëllai i tregon materiale me përmbajtje pornografike motrës. Tregon për telefonata nga prindër dhe punonjës socialë, që gjatë kohës së Coronës njoftonin për vajza që mbas konsumit disamujor të pornografisë kishin nisur të ofrojnë veten dhe të kthehen në objekte seksi, duke u dërguar burrave fotografi ose filma.
Ajo tregon po ashtu edhe për vajza dhe të reja që përjetojnë shtimin e dhunës në marrëdhëniet seksuale, por njëkohësisht ndiejnë presion të madh për atë që pritet nga ato të bëjnë.
“Pornografia është bërë kryesisht për burrat. Përvojat tregojnë se konsumi i pornografisë ndryshon mënyrën se si djemtë shohin vajzat dhe i perceptojnë dhe vlerësojnë shoqet e shkollës gjithnjë e më shumë si objekte të seksualizuara”, thotë Freitag. “Dhe vajzat mendojnë se duhet të bëjnë gjëra të tilla si në filma edhe kur ndjejnë dhimbje apo u duken të neveritshme. Sepse ato mendojnë se kjo gjë pritet prej tyre dhe kanë frikë se përndryshe do të konsiderohen si puritane dhe do të humbasin lidhjen.”
Studimet flasin një gjuhë të qartë: Sipas një analize të Komisionerit për fëmijët në Angli, 47 përqind e 18 deri 21-vjeçarëve të të gjitha gjinive kanë përjetuar dhunë në seks, vajzat më shpesh se djemtë. 42 përqind e të pyeturve mendojnë madje se vajzave u pëlqen kjo gjë. Dhe 13 përqind e vajzave seksualisht aktive të moshës nga 14 deri 17 vjeç kanë thënë sipas një sondazhi të bërë në SHBA, se u kanë futur duart në fyt gjatë seksit, sepse në filmat pornografitë transportohet imazhi sikur një gjë e tillë bën pjesë në seks.
“Koleget dhe kolegët e mi në moshë më të re në qendrën e specializuar Return, që punojnë për parandalimin e konsumit të pornografisë në shkolla, tregojnë se adoleshentët ua dinë shumë për nder që flasin më në fund për këtë temë. Kjo është sfidë e madhe për ta që së pari nuk mund të bëjnë asgjë dhe të fitojnë respekt, sepse janë brezi i parë që rritet duke pasur akses të hapur në materiale me përmbajtje të tilla, dhe duhet të gjejë mënyrën për t’i trajtuar to.”
Thirrjet për kompetencë mediatike largojnë përgjegjësinë nga fëmijët
Duke pasur parasysh këtë situatë alarmuese disa eksperte dhe ekspertë kërkojnë ndalimin e celularëve për fëmijët nën moshën 14-vjeçare. Të tjerë kërkojnë fushata informuese në mediat sociale, radio dhe televizion. Kurse studiues të tjerë kërkojnë forcimin e kompetencës mediatike tek fëmijët dhe të rinjtë, për t’u përgatitur më mirë për të luftuar shpërndarjen e pornografisë në rrjet. Por Tabea Freitag vetëm tund kokën, sepse mendon se termi kompetencë mediatike është përdorur më shumë se duhet.
“Ky term përdoret kur të rriturit nuk duan të marrin përsipër përgjegjësinë për të mbrojtur fëmijët nga materiale me përmbajtje abuzive dhe traumatike, që i kapërcejnë kufijtë. Kështu e gjithë përgjegjësia rëndon mbi supet e brishta të fëmijëve duke u thënë, se ata duhet të mësojnë të reflektojnë, të mbrojnë veten dhe të arrijnë gjëra që as të rriturit nuk arrijnë t’i bëjnë,” kritikon ajo. “Është tamam sikur të marrësh një dhjetëvjeçare, t’i mësosh si funksionon makina, ta hipësh në makinë dhe ta lesh t’i japë makinës në autostradë.”
Psikoterapistja është skeptike sa i përket mbrojtjes më të madhe në të ardhmen të fëmijëve dhe të rinjve prej materialeve me përmbajtje pornografike. Pandemia e Coronës nxori në pah se kujdesi ndaj fëmijëve nuk ka shumë prioritet. Për më tepër kjo temë është e tabuizuar. Dhe studimet kanë treguar se të rriturit që konsumojnë shpesh pornografi janë pak të interesuar për mbrojtjen e fëmijëve nga to. Tabea Freitag mendon se hapi i parë është të shihen me kujdes institucionet arsimore.
“Në politikën ndaj shkollave sot vlen: Së pari digjitalizimi. Por në realitet kjo do të thotë shpesh se mbrojtja e fëmijëve vjen në fund. Një mundësi për të cilën duhet marrë vendim politik është të detyrosh furnizuesit dhe firmat që dërgojnë tablets në shkolla, që të bëjnë zgjedhjen paraprake të filtrave. Kjo do të ishte më e pakta që duhet bërë nëse merret seriozisht ligji 184 i Kodit Penal dhe thuhet se nuk do të lejojmë futjen e Tablets, sa kohë që nuk instalohen dhe konfigurohen filtrat mbrojtës efektivë.”
Ofruesit e pornografisë duhet të detyrohen për kontrollin e moshës
Psikoterapistja i ka varur shpresat tek Tobias Schmid. i cili lufton prej vitesh për futjen e një sistemi verifikimi moshe, që ofruesit e pornografive të mos jenë në gjendje të konfrontojnë të rinjtë dhe fëmijët me materiale me përmbajtje pornografike.
Schmid është drejtor i Entit për Mediat në landin e Renanisë Veriore- Vestfalisë, në Dyseldorf dhe ka arritur një sukses të madh në luftën e platformave, që duket sikur të jetë lufta e Davidit kundër Goliathit.
Gjykata administrative e Landit të NRW ka vendosur që për materialet me akses të lirë të ofruara nga kompanitë më të mëdha nuk mjaftojnë kërkesat ligjore për mbrojtjen e fëmijëve dhe të të rinjve nga mediat. Me fjalë të tjera: Nuk mjafton më si deri tani, që konsumatorët ta konfirmojnë moshën e tyre me një klikim.
Tobias Schmid thotë: “Pornografia në vetvete nuk është e ndaluar. Por duhet bërë verifikimi i moshës. Aktualisht ekziston një buton “Po, unë jam 18 vjeç” – ku mund të klikosh. Po ky nuk është sistem verifikimi moshe, por thjesht një fjali, ecila sigurisht që nuk mjafton. Ne e dimë se ky proces ekziston prej kohësh, vetëm se ai duhet ashpërsuar.”
Së bashku në Europë kundër platformave pornografike
Platformat pornografike kërkojnë të fitojnë kohë, nga frika se me verifikimin e moshës do të tremben edhe shumë të rritur. Kjo është një paturpësi dhe guxim i pazakontë, thotë Schmid duke folur troç. Ai shpreson që nga vendimi i Gjykatës të dërgohet një sinjal për mbrojtjen më të madhe të fëmijve dhe të rinjve në rrjet. Dhe jo vetëm në Gjermani, por në gjithë Europën.
“Ne, së bashku me autoritetet rregullatore në Luksemburg, Austri, Itali dhe Francë, i kemi kërkuar Komisionit Europian që të veprojë ndaj platformave më të përhapura, që kanë statusin e të ashtuquajturave platforma very-large-Online-Plattform.
Këto janë platforma me më shumë se 45 milionë konsumatorë. Në fillim do kohë deri sa të fillojë një proces, por tani ai nuk mund të ndalet më.”
Një hap i vonuar, thotë Schmid, sepse fëmijët nuk hyjnë më në internet nga kompjuteri i shtëpisë dhe me kontrollin e prindërve, sepse 90 përqind e dhjetë deri 12-vjeçarve në Gjermani kanë tashmë celularin e vet. Sidoqoftë, në gjithë Europën është bërë e ditur se duhen vendosur rregulla për internetin. Dhe njëkohësisht është rritur vetëdija se përveç plot mundësive interneti është edhe shesh për urrejtje, ngacmime, vepra penale, pra edhe për veprime kriminale të lidhura me pornografinë.
Prandaj drejtori i Entit për mediat në Landin NRW dëshiron në të ardhmen dy gjëra: “Nga njëra anë, që kompanitë që ofrojnë karta krediti të mos ofrojnë shërbim për platforma të tilla, siç ndodh për shembull me lojrat e fatit. Dhe së dyti që të merret seriozisht mundësia e vendosjes së sanksioneve si gjoba ose pengim fitimi. Sepse bllokimi i internetit, siç mund të bëhet tani, prek thellë të drejtat themelore për lirinë e mediave, dhe do të ishte sigurisht një masë ekstreme në rast nevoje absolute.”/DW