DITË E TRISHTË SOT !
Është e ngjajshme me ditët e shiut, por nesër do jetë kohë e mirë. Por mbetem garanti se asnjë arritje etnike nuk do cënohet !
Me rezultatin e sotëm në komunën e Kërçovës, ne si komunitet jemi në një ditë të trishtë. Dikush që mbolli retë për vite e vite me radhë, solli shi në qiellin e komunës. Është e trishtë, sepse ai që i mbolli, e dinte se do sillte shi. Nuk ndodhi prej padijes së tij.
E dinte se: të keqes në 4-5 mandate i kishte ardhur fundi.
E dinte por kokëfortësisht nuk pranoi hapjen e një kapitulli të ri në krye të Kërçovës me mua, me një figurë të Luftës, të Dëshmorëve, prej familjes së vet, me moral dhe integritet të padiskutueshëm personal dhe familjar.
Nuk pranoi të dilnim me kandidaturë të përbashkët, e të fitonim që në raundin e parë;
– e dinte se kësisoj shqiptarët do përçanin votat,
– e dinte se rrezikonte të ndante akoma më shumë dy komunitetet kryesore,
– e dinte se kandidatura ime do bashkonte shqiptarët kudo,
– e dinte dhe se Fatmir Limani do ishte ura përafruese me komunitetin tjetër.
– e dinte dhe i dinte të gjitha, bashkë me pasojat e ditë-natës së sontme.
Ai duke i ditur të gjitha sërish kontribuoi që shqiptarët të defaktorizoheshin në nivel republikan dhe nivel komunal.
Ai e dinte se mërgata nuk do besonte përjetësisht në ecjen drejt humnerës.
Por sikur të mos mjaftonte kjo, abuzoi me fisnikërinë time në betejën politike.
Ndaj sot shiu ra, si e dëshiroi ai me kokëfortësinë dhe inatin e tij. Ai, mbjellësi i reve. Kush mbjell shiun, korr furtunën, thotë populli jonë.
Mirpo, unë ju këshilloj të dashur vëllezër e motra të mos dorëzohemi. Sot është shi për arsyet e mësipërme dhe jo pse fitoi tjetër, fundja edhe ai është kërçovar.
Unë kam besim se ndonëse sot është shi, nesër nuk do të ketë furtunë. Nesër qielli do të jetë i pastër.
Ju garantoj se asnjë prej arritjeve tona kombëtare në komunën e Kërçovës nuk do cënohet:
– as gjuha,
– as flamuri,
– as punësimet,
– as mirëkuptimi ndëretnik.
Nuk ka asnjë shans që të ketë revansh ndëretnik. Unë jam garanti se nuk do të ndodhë kjo. Mund të zgjidhja të tërhiqesha të mos merresha me këtë komunë, pas zhgënjimit, por sot jam më i motivuar se kurrë për t’i shërbyer vendlindjes sime.
Unë ju garantoj se projektet që jam zotuar, spitali, më shumë punë për kompanitë e Kërçovës, qytetarët tanë të rinjtë më së shumti, do mundësohen në Kërçovë.
Fundi i një regjimi nuk do të jetë dramatik për qytetarët. Jemi në shekullin e 21-të. Na duhet mirëkuptim mes vedi. Mirëkuptim me fqinjin e etnisë tjetër. Na duhet zhvillim dhe jo zhelet e një epoke të tejkaluar tashmë.
Prej nesër fillojmë me realizimin e projekteve dhe punësimeve që kemi premtuar, për të mbajtur rininë afër familjeve të tyre.
F. B. L.










