Kryeministri Albin Kurti është partneri ynë edhe pse ndonjëherë është një bashkëpunëtor i vështirë, ai vazhdon të mbetet një partner, është shprehur i dërguari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Escobar në një intervistë për Institutin për Politikë dhe Ekonomi i Evropës Juglindore ka theksuar Kosova dhe vazhdon të jetë partner i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Më duhet ta bëj të qartë. Albin Kurti është partneri ynë. Ai ndonjëherë është një bashkëpunëtor i vështirë, por ai mbetet një partner. Kosova është partneri ynë. Në të ardhmen, ne duam t’i shfrytëzojmë marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën, t’i përmirësojmë e marrëdhëniet me Serbinë”, ka theksuar Escobar, përcjell Telegrafi.
Sipas tij, nëse SHBA-ja do të vendoste, i gjithë rajoni do të ishte në BE deri në vitin 2030
“Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kishin një rol më të madh në vendimmarrje, deri në vitin 2030, i gjithë rajoni do të ishte brenda Bashkimit Evropian (BE)”, është shprehur i dërguari amerikan.
Ai shton se për SHBA-në, Ballkani Perëndimor mbetet një zonë me mundësi të jashtëzakonshme.
“Ne vazhdojmë të mbesim të angazhuar në Ballkanin Perëndimor. Për qeverinë e Shteteve të Bashkuara, Ballkani Perëndimor mbetet një zonë me mundësi të jashtëzakonshme. Karakteristika përcaktuese e Ballkanit Perëndimor për momentin është rritja ekonomike dhe potenciali i lartë ekonomik. Rajoni ka potencialin për të qenë lider në IT, transport, energji, infrastrukturë, transport dhe madje edhe turizëm. Rajoni ka një fuqi punëtore të talentuar dhe relativisht të re. Kështu që ne do të vazhdojmë të investojmë në këtë drejtim dhe shpresojmë se investimi në të ardhmen e rajonit do të ndihmojë për të kapërcyer disa nga problemet politike”, ka shtuar ai, përcjell Telegrafi.
Escobar ka thënë se duhet të gjenden mënyrat për të de-përshkallëzuar gjendjen e krijuar në veri të Kosovës.
“Në Ohër arritëm një marrëveshje. Një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme që hapi derën për një marrëdhënie paqësore ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, sipas rregullave evropiane. Kur u larguam nga Ohri, ishim optimistë. Në dy muajt që kur arritëm atë marrëveshje, kemi pasur shumë kriza politike dhe do të thosha se të gjitha ishin të parashikueshme dhe mund të shmangeshin. Pra, ne duhet të gjejmë një mënyrë për të de-përshkallëzuar proceset menjëherë, për të de-përshkallëzuar situatën [në veri të Kosovës] dhe menjëherë ta kthejmë fokusin në zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Për Serbinë kjo do të thotë t’i jepet fund bllokimit të integrimit evropian dhe ndërkombëtar të Kosovës. Për Kosovën kjo nënkupton fillimin e procesit të zbatimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, ka përfunduar Escobar.
Në këtë intervistë, ai ka folur edhe për Ballkanin e Hapur dhe për situatën e fundit të krijuar nga protestat e opozitës në Serbi. /Telegrafi/