Dy të rinj, një me prejardhje nga Maqedonia dhe tjetri nga Çeçenia, të cilët gjatë verës së vitit 2023 u dënuan në Gjykatën Rajonale të Leobenit për planifikim të një sulmi ndaj një gjimnazi, janë arrestuar sërish nën dyshimet për terrorizëm, raporton portali austriak Heute.
Fillimisht, ata u dënuan me dënime pjesërisht me kusht, 15 dhe 16 vjet burg, për synimin e tyre për të “krijuar një kalifat” në Austri dhe për planet për të vrarë të krishterë. Njëri prej tyre, tashmë 17 vjeç, u lirua para kohe pasi kishte vuajtur dy të tretat e dënimit, ndërsa ishte nën mbikëqyrje përmes programeve të deradikalizimit dhe terapive psikologjike.
Megjithatë, sipas prokurorisë, ai ka shfaqur sërish shenja të radikalizimit – duke përfshirë plane për një masakër me armë automatike dhe përpjekje për të siguruar fonde për blerjen e armëve. Deri më tani, adoleshenti ka refuzuar të bashkëpunojë me autoritetet, shkruajnë mediat austriake.
Ndërkohë, bashkëpunëtori i tij, 18 vjeç, u ndalua në fund të gushtit në kufirin e Maqedonisë, gjatë kthimit nga vendlindja e tij. Edhe ai akuzohet për plane të reja dhe serioze për sulme, përfshirë përdorimin e bombave, dhe është rikthyer në burg pas shkeljes së dënimit me kusht nga procesi i parë gjyqësor.