Albin Kurti nuk piku nga qielli në skenën politike shqiptare. Ai erdhi përmes sakrificës dhe qartësisë së vizionit të tij. Një e kishte të qartë: pushteti nuk mund të jetë pronë e askujt, por pushteti duhet t’i shërbejë popullit, atij që përmes mekanizmave demokratike legjitimon atë pushtet.
Ai i shërben të vërtetës e jo manipulimit, ai i shërben pastërtisë e jo korrupsionit, ai i shërben drejtësisë e jo kriminalizimit të drejtësisë, ai i shërben kauzës shqiptare e jo kauzave të huaja që realizojnë interesat e tyre në dëm të indin kombëtar të shqiptarëve.
Ai erdhi në Shkup për ta nderuar simbolin e sakrificës së shqiptarëve Adem Demaçin dhe shkoi në Tetovë për t’i dhënë shtysë realizimi idesë së përafrimit të Tetovës dhe Prizrenit përmes një rrugë fare të shkurtë, e cila, bashkë me një tunel, nuk do të kushtonte më shumë se 200 milionë euro, projekt ky me një rëndësi të jashtëzakonshme në shumë drejtime.
Albin Kurti u prit në Çair të Shkupit dhe në Tetovë, komuna këto që drejtohen nga kryetarë tashmë me qëndrime opozitare, të cilët guximshëm iu kundërvunë atyre që pamëshirshëm po e keqpërdorin pushtetin për interesa të ngushta grupore. Natyrisht, Albin Kurti është model i të qenët në anën e popullit dhe mirëqenies së tij. Dhe ky qëndrim ka bërë që ai të jetë i dashur gjithandej hapësirave shqiptare, por edhe më gjerë, duke fituar gjithnjë e më shumë simpatitë e ndërkombëtarëve. Vetë prezenca e tij në Shkup e Tetovë duhet të kuptohet si një trokitje e ndërgjegjes për t’iu kthyer vlerave të mirëfillta demokratike dhe kombëtare, por ishte edhe një moment për të tërhequr vijën ndarëse ndërmjet së keqes dhe të mirës, qoftë edhe përmes një pendese të natyrshme që është akt burrëror.
Opozita shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut tani ka përkrahjen morale të Albin Kurtit, i cili është bërë edhe simbol i luftimit të së keqes dhe kthimit të dinjitetit të çdo shqiptari. Dhe, pikërisht dinjitetit i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është nëpërkëmbur shumë nga zhvatësit e “politikës” shqiptare, të cilët thjeshtë janë gozhduar në karriget qeverisëse dhe mjet të vetëm “lufte” për të drejtat e shqiptarëve kanë manipulimin. Natyrisht, të tillëve u pengon shumë Albin Kurti, i cili, kur bëhet fjalë për kauzën shqiptare, është i pakompromis.
Ai qëndroi midis shqiptarëve të Shkupit dhe Tetovës për të dëshmuar se tash e tutje opozita shqiptare, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe Lëvizja Besa (pse jo edhe ndonjë parti tjetër), është e unifikuar, ka vizion të qartë dhe se është koha që partia në pushtet të kalojë në anën tjetër, ku duhet ta shohë vetveten në pasqyrën e vërtetë.
Prezenca e Albin Kurtit midis rreshtash ishte mesazh edhe për Aleancën Shqiptare që ta shfrytëzojë momentumin (aferat korruptive që ndërlidhen me partinë shqiptare në pushtet) që t’i bashkohet opozitës shqiptare për një fuqizim edhe më të hovshëm në prag të zgjedhjeve të afërta parlamentare.
Zërat se Albin Kurti po i përçan shqiptarët, janë tendencioze, sepse po ndodh e kundërta, ai po i bashkon, me qëllim që t’i luftojnë përçarësit e shqiptarëve.
Të jemi të qartë, çështja shqiptare akoma është pezull, as në qiell e as në tokë. Ajo kërkon përkushtim të njëmendët për t’i dhënë fund propagandës “demokratikë”, me të cilën tash e sa kohë shërbehen dy-tre individë, të cilët thjeshtë tallen me idealet e atyre që nuk e kursyen jetën për të drejta dhe trajtim të barabartë të shqiptarëve. Duhet të marrë fund trajtimi i shqiptarëve si makineri votuese në mbajtjen gjallë të keqpërdoruesve të pushtetit, të partisë dhe të fatit të popullit shqiptar. Kundër këtij keqpërdorimi u sakrifikua edhe Albin Kurti, i cili kurrë nuk u dorëzua, por dhe as bëri kompromise në dëm të popullit shqiptar.
Pra, siç është dëshmuar deri tani, Albin Kurti është model sakrifice. Dhe të sakrifikosh për popullin tënd, është diçka hyjnore, mbase edhe shpirtërore…