Rezultati i zgjedhjeve presidenciale që mbahen në Turqi muajin e ardhshëm po bëhet më i pasigurt, me futjen në garë të një kandidati populist, i cili kërcënon të shkaktojë përçarje mes votave të opozitës. Një gjë e tillë do të rriste shanset për fitore të Presidentin aktual Rexhep Tajip Erdogan. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones njofton nga Stambolli.
Në një kohë kur vendi po përballet me probleme ekonomike, retorika e tij e zjarrtë nacionaliste, duket se po funksionon.
“Ai po reflekton një valë të re populizmi në Turqi, që më shumë se është një mbështetje ndaj tij është zemërim ndaj sistemit. Ai nuk po thotë asgjë të re, nuk po ofron një ideologji, apo alternativë të re. Ai thjesht shpreh zemërim dhe ajo çka ai reflekton është zemërimi i një pjese të caktuar të elektoratit”, thotë Sezin Oney, e faqes mediatike ‘Politikyol’.
Fushata e zotit Ince shihet si një kërcënim për votat e opozitës, duke rrezikuar ndarjen e tyre. Kemal Kilicdaroglu i partisë kryesore opozitare asaj Popullore Republikane (CHP) ka ndërtuar një aleancë të gjerë zgjedhore mes gjashtë partish, përfshirë fetare e laike, gjë që e ka bërë atë kryesues në garë, sipas shumë sondazheve të opinionit publik.
Por analistët thonë se zoti Ince po synon votuesit e lënë pas dore, të opozitës.
“Zoti Kilicdaroglu po përpiqet ta orientojë Partinë Popullore Republikane drejt qendrës, dhe ta bëjë atë një parti më gjithëpërfshirëse. Por ekziston një linjë e ashpër mes opozitarëve, të po ndihen të tradhëtuar”, thotë Osman Sert, Drejtor i Kërkimeve PanoramaTR.
Disa sondazhe tregojnë se mbështetja ndaj zotit Ince arrin në 10%, kjo për shkak të përdorimit në mënyrë efektive të medias sociale, nga zyrtarët e fushatës së tij. Tashmë po hiqen paralele mes tij dhe udhëheqësve të tjerë populistë në mbarë botën.
“Këto janë dinamika të ngjashme me ato në Amerikë, sikurse me Trump-in për shembull, apo Bolsonaron në Brazil, si dhe Orban-in në Hungari. Por për shoqërinë turke është kutia e votimit ajo që merr rëndësi në fund. Njerëzit mund të marrin pjesë në tubimin e një kandidati të tillë, por ata votojnë për më të fortin në kutinë e votimit”, thotë Gokhan Bicici, kryeredaktor i agjencisë ‘dokuz8HABER’.
Disa analistë sugjerojnë se zoti Ince mund të bëhet pengesë për çdo kandidat që të sigurojë një shumicë absolute duke e detyruar vendin të shkojë në një raund të dytë zgjedhjesh.
“Mund të jetë një faktor i rëndësishëm për t’i çuar zgjedhjet në balotazh, dhe atëherë nuk e dimë çdo të ndodhë. Gjithçka mund të ndodhë”, thotë Sezin Oney, ‘Politikyol’
Deri vonë shumë sondazhe të opinionit publik sugjeruaronin një fitore në raundin e parë për zotin Kilicdaroglu. Tashmë ka pritshmëri në rritje, për një balotazh.
Analistët thonë se ky është një zhvillim i mirëpritur për Presidentin Erdogan, e një shkak për shqetësim për sfiduesin e tij kryesor të opozitës./VOA/