Page 1341 of 1390 1 1,340 1,341 1,342 1,390

Granit Osmani: Shkruan: Granit Osmani Në një hap të guximshëm drejt modernizimit të politikës, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sonte ka formalizuar sloganin e ri “Me duar të pastra”, duke vendosur një standard të ri të llogaridhënies: ARRATISJEN. Me këtë inovacion politik, BDI po krijon një model të veçantë të ndershmërisë, ku akuzat për korrupsion nuk kundërshtohen me prova, por me bileta njëdrejtimëshe për destinacione të panjohura. Kjo qasje duket se është frymëzuar nga strategjitë amerikane dhe evropiane për luftimin e korrupsionit, me një ndryshim të vogël: ndërsa në Perëndim zyrtarët e korruptuar ndëshkohen, në BDI ata marrin një avantazh strategjik një periudhë të pacaktuar pushimi jashtë vendit. Në këtë kontekst, “Me duar të pastra” merr një kuptim të ri: ata që nuk janë këtu, nuk mund të ndoten. Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, dikur “avokati” më i madh i luftës kundër korrupsionit, ka gjetur një mënyrë të re për të provuar pafajësinë e tij duke u zhdukur. Ndërkohë që Ministria e Punëve të Brendshme vazhdon kërkimet e saj, kryeministri sugjeron që Ali Ahmeti ta thërrasë Grubin dhe ta kthejë në vend. Ndoshta me një ofertë speciale, kthim në biznes klasë, i pajisur me një poster të madh ku shkruhet “Me duar të pastra” dhe një garanci të nënshkruar se gjithçka është një keqkuptim. Nëse kjo është mënyra e re e luftës kundër korrupsionit, atëherë ndoshta së shpejti do të shohim edhe reforma të tjera inovative, si: Vettingu me video-konferencë: Të dyshuarit do të mund të mbajnë konferenca Zoom nga destinacione tropikale për të dëshmuar se nuk kanë bërë asgjë të keqe. Rikthimi i politikës nomade: Zyrtarët e BDI-së nuk do të kenë zyra fikse, por do të operojnë nga vende të ndryshme për të shmangur “pengesat burokratike”. Institucionalizimi i arratisë: Për të mos u quajtur më “zhdukje”, nga tani e tutje do të quhet “eksil strategjik”. Me këtë ritëm, qytetarët nuk kanë më nevojë të shqetësohen për luftën kundër korrupsionit sepse shumë shpejt, nuk do të mbetet askush këtu për t’u hetuar. BDI po hap një rrugë të re: nga një parti tradicionale në një organizatë të përkushtuar ndaj “qeverisjes në distancë”. Kush e di, ndoshta shumë shpejt, ne të gjithë do të duhet të votojmë me aplikacion, pasi kandidatët tanë nuk do të jenë më në vend për fushatë. Një gjë është e sigurt: me këtë model të ri të ndershmërisë, të gjithë mund të kemi duar të pastra për sa kohë që nuk jemi këtu për t’i ndotur! Ndoshta ndonjehere funksionon dhe dashuria ne distance!