Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në fjalimin e tij përmbyllës para heshtjes zgjedhore, dërgoi një mesazh të fuqishëm për qytetarët, veçanërisht për ata që, siç tha ai, “janë forca e heshtur e çdo zgjedhjeje” dhe që sjellin ndryshimin e vërtetë.
“Çairi ka një zgjedhje: të mbetet i robëruar në të kaluarën ose të hapë derën drejt së ardhmes. E di që shumë prej jush janë të zhgënjyer, që thoni ‘të gjithë janë njësoj’. Por kjo nuk është e vërtetë. Dallimi është nëse do të qëndroni në shtëpi dhe do t’u lejoni të tjerëve të vendosin për ju, apo do të dilni dhe do ta merrni të ardhmen e Çairit në duart tuaja,” deklaroi Osmani.
Ai bëri thirrje për të gjithë qytetarët që jetojnë dhe punojnë me ndershmëri, por janë të zhgënjyer nga politika, që t’i japin atij mbështetjen e tyre.
“Dua të dërgoj një mesazh të qartë për ata që po e ndjekin me heshtje fushatën, që nuk tregojnë se çfarë do të bëjnë. Jepni mbështetjen për mua dhe zëri juaj do të ketë vlerë të vërtetë. Do të fitoni një komunë që ju dëgjon, që ju respekton, që punon për ju,” theksoi Osmani.
Osmani nënvizoi se ndryshimin gjithmonë e kanë sjellë qytetarët pa interesa partiake, ata që votojnë me ndërgjegje dhe jo me frikë.
“Zëri i heshtur është më i fuqishmi. Ai zë e ndryshon historinë. Të dielën, më 19 tetor, le të dëgjohet edhe zëri juaj, zëri i arsyes, i dinjitetit dhe i shpresës.”
Në mesazhin e tij, ai theksoi se çdo votë është një akt guximi dhe përgjegjësie ndaj së ardhmes së Çairit.
“Vota juaj është arma juaj kundër kaosit. Vota juaj është forca juaj kundër korrupsionit. Vota juaj është një hap drejt rendit, drejt dinjitetit, drejt së ardhmes,” përfundoi Osmani.