Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, sot e prezantoi vizionin e tij për restaurimin dhe revitalizimin e plotë të Çarshisë së Vjetër, një projekt që, siç tha ai, synon t’i kthejë asaj pamjen, shpirtin dhe dinjitetin autentik të këtij kompleksi historik e kulturor.
“Qëllimi ynë është t’ia kthejmë autentikën, t’ia rikthejmë imazhin. Duhet t’ia rikthejmë fytyrën e vërtetë Çarshisë, historinë dhe shpirtin e saj”, deklaroi Osmani, duke theksuar se Çarshia është pasuria urbane dhe kulturore më e madhe e qytetit dhe simbol i identitetit të Shkupit.
Ai theksoi se gjendja e sotme e Çarshisë është shumë larg potencialit dhe vlerës që ajo meriton.
“Sot, Çarshia nuk është ajo që duhet të jetë. E ka humbur imazhin e saj, karakterin autentik dhe historik. Është e ndotur, hyrjet janë të bllokuara, vrimat nëpër rrugica janë të rrezikshme për këmbësorët dhe turistët,” tha Osmani, duke shtuar se kjo pamje nuk i ka hije Çarshisë më të madhe dhe më të bukur në Ballkan.
Për këtë qëllim, ai paralajmëroi krijimin e një Këshilli Strategjik Drejtues, në të cilin do të përfshihen të gjitha palët e interesuar: komuna, esnafët e çarshisë, bizneset, të rinjtë, gratë dhe bashkësitë fetare. Ky këshill do ta përcaktojë drejtimin strategjik të zhvillimit të Çarshisë, sqaroi Osmani.
“Është e rëndësishme të ketë bashkëmenaxhim. Asnjë zgjidhje nuk do të imponohet pa konsensusin e të gjitha palëve. Në këtë mënyrë do të krijojmë një kod unik dizajni për Çarshinë dhe do ta unifikojmë pamjen dhe karakterin e saj vizual. Nuk duhet të lejojmë kaos në arkitekturë apo dizajn”, deklaroi Osmani.
Ai sqaroi se komuna do të përgatisë të gjitha dokumentet dhe aplikacionet e nevojshme për secilin pronar objekti në Çarshi, për t’ua lehtësuar procesin e rinovimit.
“Duhet t’i largojmë elementet që e prishin pamjen historike të saj. Në vend të një pamjeje autentike, shohim çadra me mbishkrime si ‘Coca-Cola’ apo ‘Skopsko’, dhe kjo duhet të ndryshojë,” tha Osmani.
Osmani njoftoi se projekti do të mbështetet nga arkitektë dhe ekspertë të trashëgimisë kulturore, ndër të cilët edhe arkitekti me famë ndërkombëtare Mishel Rojkind, i cili tashmë po punon mbi një koncept për lidhjen e sheshit “Skënderbeu” me Kalanë e Shkupit.
“Projekti për ‘Skënderbeun’ është simbol i përkushtimit tonë për të krijuar një urë midis historisë dhe bashkëkohësisë. Mbi këtë shesh do të ndërtohet një galeri e mbuluar multifunksionale, e cila vizualisht do të lidhet me Kalanë e Shkupit, duke krijuar një vazhdimësi të kullave dhe arkitekturës tradicionale. Kjo galeri do të jetë një qendër multietnike dhe multifetare për aktivitete kulturore, artistike dhe edukative,” theksoi Osmani.
Ai shtoi se vizioni për Çarshinë nuk ka të bëjë vetëm me restaurimin fizik, por edhe me gjallërimin e jetës kulturore në të, përmes festivaleve, panaireve të zejtarëve, tregjeve dhe festimeve fetare.
Në kuadër të mbështetjes ekonomike, komuna do të subvencionojë bizneset e reja zejtare dhe mjeshtrit që do të trajnojnë të rinjtë në zanate tradicionale, si dhe do të krijohet brendi “Made in Charshija” – “Prodhuar në Çarshi”, për të promovuar produktet lokale.
“Njerëzit nuk vijnë në Çarshi për ‘fast food’, por për karakterin e saj historik dhe produktet artizanale. Prandaj, komuna do ta subvencionojë çdo biznes të ri zejtar që do të hapet në Çarshi, si dhe çdo mjeshtër që do t’i transmetojë aftësitë tradicionale tek nxënësit e rinj,” deklaroi Osmani.
Ai theksoi se që nga viti 1997, Çarshia nuk ka plan urbanistik, as plan të detajuar urbanistik, gjë që nuk është dashur të lejohet.