Më 19 tetor, qytetarët me një votim do t’i japin një drejtim të ri historisë. Kështu deklaroi kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, në një intervistë për TV Shenja, duke bërë sërish një paralele midis ditës së votimit dhe 13 gushtit.
“Prandaj thashë, 19 tetori është ‘13 gushti i dytë’. Ashtu siç sot të gjithë pyesin ‘ku ishe më 13 gusht’, do të pyesin ‘ku ishe më 19 tetor’,” deklaroi Osmani.
Sipas Osmanit, pikërisht tani është krijuar momenti kur historia ndodhet në një udhëkryq dhe kur me një vendim duhet të prishet komoditeti dhe rehati.
“Unë hyra në këtë betejë si ‘punëtor’, si rojtar i kursit dhe i sakrificës së njerëzve, i djersës dhe gjakut të tyre,” tha Osmani.
Ai theksoi se nuk ka asnjë ambicie personale për karrierë në Çair, sepse në veprimtarinë e tij politike tashmë i ka arritur të gjitha pozicionet e mundshme vendore dhe ndërkombëtare.
“Unë nuk jam si kundërkandidati im, i cili pas 12 vitesh si kryetar komune, gjatë të cilave e shkatërroi komunën dhe u zhvendos në Butel, tani po kthehet përsëri për të kërkuar besimin e qytetarëve,” tha Osmani.
Sipas tij, Izet Mexhiti e ka tradhtuar një herë organizatën e vet, liderin e vet dhe aktivistët që kanë punuar për të, dhe tani kërkon përsëri një shans.
“Prandaj dua t’u drejtohem shikuesve: Dilni dhe votoni! Sidomos në Çair. Ne kemi mbi supe barrën që ta pastrojmë këtë ‘laborator’ që dëshiron të instalojë koncepte të kundërta me vlerat tona,” theksoi Osmani.