Shkruan Prof. dr. Skender ASANI
Sot në Tiranë kemi ardhur me një impenjim të veçantë, për thellimin e
bashkëpunimit ndërinstitucional mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në
Shkup, të nisur vite më parë.
Duke dashur t’ju falënderojmë për këtë bashkëpunim, njëkohësisht ju
falënderojmë edhe për mundësinë që sot para jush të spalosim projektin
më të ri botues të Institutit tonë – dy vëllimet me dokumente: “Ilegalja
shqiptare – pararendëse e rrënimit të Jugosllavisë”, që është rezultat i
një hulumtimi disamujor.
Deri më tani ne si Institut kemi botuar vepra nga më të ndryshmet, të
cilat për nga rëndësia dhe karakteri kanë paraqitur vlera të pamohueshme
shkencore e kulturore, por kësaj radhe, me botimin që sot po
prezantojmë: “Ilegalja shqiptare – pararendëse e rrënimit të
Jugosllavisë”, po shënojmë një hap paksa më ambicioz në mbylljen e një
teme që gjatë kohë ka qenë objekt debatesh e qëllimesh konstruktive e
jokonstruktive, të sinqerta e djallëzore, siç është çështja e dosjeve
dhe vendosja e tyre në funksion të ndriçimit të kaluarës, dhe hapjes së
perspektivave për të ardhmen.
Ajo çka e bën të veçantë punën tonë hulumtuese gjatë përgatitjes për
shtyp të këtyre dosjeve, është fakti se ky material voluminoz është
siguruar nga Arkivi Shtetëror i Kroacisë, një favor ky jashtëzakonisht i
dobishëm për vërtetësinë dhe autenticitetin e lëndëve arkivore të cilat
morën formën e këtij botimi dyvëllimësh, me intencë që në javët dhe
muajt në vazhdim të përgadisim edhe dhjetëra vëllime të tjera nga
materia e njejtë.
Përcaktimi ynë për të bashkëpunuar me Arkivin Shtetëror të Kroacisë,
mbase rrënjët i ka tek një miqësi tradicionale shqiptaro-kroate, qysh në
dekadat e para të shek. të kaluar, që ndërlidhet edhe me figurën e Milan
Shulfajt, një albanolog i shquar kroat, i cili e pagoi me jetë
përkushtimin e tij ndaj studimeve shqiptare.
Kjo miqësi u tregua e sinqertë edhe në periudhën midis dy luftërave
botërore, atëherë kur pati një bashkëpunim të frytshëm në mes të
Komitetit Mbrojtja e Kombëtare e Kosovës dhe komiteteve kroate,
bashkëpunim ky që ishte në funksion të gjetjes së një strategjie të
përbashkët kundër hegjemonisë pansllaviste të Beogradit.
Miqësia shqiptaro-kroate vazhdoi edhe në vitet nëntëdhjetë të shekullit
të kaluar, kur Kroacia u bë strehë e shumë disidentëve dhe veprimtarëve
shqiptarë nga Kosova dhe viset tjera shqiptare, si dhe në vitet e
mëhershme, sidomos pas tërmetit të vitit 1963 në Shkup, kur shumë
familje katolike shqiptare gjetën mikëpritje të ngrohtë në Kroaci, e
cila u bë atdheu i dytë i tyre.
Aktualisht institucionet kroate ruajnë një respekt të posaçëm ndaj
vullnetarëve shqiptarë që morën pjesë në betejat kroate për një shtet të
lirë e të pavarur.
Ky botim dyvëllimëlsh që sot po vjen para jush, sigurisht që do të jetë
objekt hulumtimesh të shumta nga historianët, sociologët, politologët,
të cilëve iu bie barra të ndajnë shapin nga sheqeri duke ofruar një
qasje krejt të re, objektive dhe të liruar nga çfardëlloj manipulimi,
siç ka ndodhur në raste të caktuaar kur dosjet më tepër janë përdorur
për të shantazhuar individë, se sa për të zbërthyer enigmat e kohës.
Dosjet e tilla ende ruhen në Shkup, Beograd dhe në Lubljanë, prandaj çdo
tendencë manipulimi që mund të hasni, ta dini që burimin e ka në këto
tri qendra.
Pra puna që ne po bëjmë ka për qëllim nxjerrjen në pah të vërtetat nga
dosjet historike, e jo gjysëm të vertetat nga dosjet personale. Këto të
fundit do të shkojnë në histori dhe në këtë mënyrë ne po bëjmë një
prerje historike në mes të realiteteve politike e shoqërore , në mes të
personales dhe historikes.
Pas LDB shumë atdhetarë shqiptarë u detyruan të largohen në vendet të
ndryshme të botës, kurse një pjesë e tyre vazhduan të veprojnë në
atdhe, disa prej të cilëve kaluan nëpër një kalvar persekutimesh, siç
ishte burgu i Goli Otokut, një ishull ky famëkeq, në të cilin vuajtën
dënimet më drakonike dhjetëra disidentë shqiptarë, por edhe të kombësive
të tjera të ish Jugosllavisë.
Arsyeja themelore pse ne iu rrekëm këtij projekti, ka të bëjë me një
qëllim shumë sublim që kishim si studiues: që të parandalojmë
manipulimin historik të shqiptarëve nga qarqe e individë të cilët me
vite të tëra ishin munduar të na i prezantojnë si vlera kombëtare, disa
pseudovlera, të na fusin pyka në mesin e shqiptarëve për llogari të
shërbimeve antishqiptare.
Ky manipulim historik rrënjët i ka qysh në vitet e para pas LDB kur
shërbimet sekrete jugosllave, të ndihmuar edhe nga disa argatë
shqiptarë, u munduan të nxisin disa segmente të caktuara të emigracionit
shqiptar në përpjekjet për të rrëzuar pushtetin popullor në Shqipëri,
duke i larguar ata nga kauza për çlirimin e Kosovës nga hegjemonia
serbo-jugosllave dhe duke ia mveshur rezistencës shqiptare atributet
balliste e zogiste.
Ka mjaftuar ky manipulim që të përdoret si pretekst nga OZNA dhe UDBA
për të ushtruar reprezalje mbi popullatën shqiptare në Kosovë dhe në
viste shqiptare në ish Jugosllavi. Ata që i propaguan këto atribute
balliste e zogiste të rezistencës së vullnetarëve shqiptarë, qëllimin e
kishin që t’i japin konotacion fashist këtyre përpjekve atdhetare , një
etiketë kjo që mjaftonte të përdorej nga pushteti jugosllav për të
justifikuar masat represive ndaj shqiptarëve gjatë dhe pas LDB. Prandaj
një kohë të caktuar opinioni ndërkombëtar ishte i lajthitur dhe nuk e
kishte të qartë se në cilën anë ishin shqiptarët.
Ndonëse nuk ia arritën qëllimit, këto përpjekje vazhduan deri atëherë
kur menjëherë pas asgjësimit të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare,
në skenë doli Adem Demaçi, me lëvizjen e tij për bashkim, që u pasua
pastaj me një mori organizatash e grupesh ilegale deri në vitet
tetëdhjetë të shekullit të kaluar. Ky organizim i ilegales shqiptare
ishte një grusht i rëndë për manipulatorët e historisë, prandaj ata nuk
rreshtën se gërmuari nëpër dosje për të gjetur material denigrues për
veprimtarët shqiptarë. Dhe atëherë kur nuk mundën të gjejnë materiale të
tilla, i hynë falsfikimit dhe fabrikimit të dosjeve.
Pikërisht kjo është arsyeja themelore pse ne u përcaktuam për Arkivin
Shtetëror të Kroacisë sepse vetëm aty nuk mundën të depërtojnë duart e
manipulatorëve dhe falsifikuesve të historisë.
Me këtë hulumtim lidhte edhe një arsye tjetër që ka të bëjë me periudhën
kohore të viteve 1980-86, periudhë kjo mjaft delikate, e cila ka qenë e
kërcënuar edhe nga rreziku i ndërprerjes së vazhdimësisë së lëvizjes
ilegale shqiptare. Por, fatbardhësisht kjo nuk ndodhi dhe erdhi deri te
një riorganizim edhe më i madh që rezultoi me aktivitete e veprime të
sukseshme që u kurorëzuan me rezistencën e armatosur të UÇK-së në vitet
1998/99 dhe me çlirimin e Kosovës në qershor të vitit 1999.
Konsiderojmë se gjithë ky angazhim i yni hulumtues ka në thelb një
mision të shenjtë, sepse nuk ka shenjtëri më të madhe se sa të thuhet e
vërteta. Nuk ka shenjtëri më të madhe se të mbrohen njerëzit nga
etiketimet dhe denigrimet. Nuk ka shenjtëri më të madhe se mbi dyshimet
e fabrikuara të ngrejmë besimin në mes nesh, dhe të ndërtojmë ura mbi
të cilat do të kalojë mirëkuptimi dhe uniteti ynë i brendshëm kombëtar.
Misionet e shenjta nuk mund të realizohen pa një motivim dhe pa një
mbështetje të madhe morale e njerëzore. Ne si studiues dhe unë si
udhëheqës i Institutit e llogarisim veten me fat që në ballë të këtij
projekti madhor, patëm një motivues të palodhur. Ai është z. Ali Ahmeti.
Mbështetja dhe kurajoja e tij, ishin pjesët më vitale të motorit që vuri
në lëvizje këtë ndërmarrje gjigande me karakter hulumtues- shkencor, por
pse jo edhe kombëtar.
Prandaj, me këtë rast dua të faleminderoj sinqerisht z. Ahmetin për
mbështejen por edhe për besimin ndaj nesh, që ky projekt të
dimenzionohet sipas kritereve të paanshme shkencore.
Shpresojmë që ky projekt i nisur të vazhdojë me botimin e vëllimeve të
tjera, ku do të shpalosen një varg aktivitetesh e protagonitësh të
ilegales shqiptare, të cilat do ti përmbeldihim në njësi të veçanta
tematike e përmbajtësore.