Digjitalizimi është energjia e re e qeverisjes, duke krijuar efikasitet, transparencë dhe qëndrueshmëri në të gjithë sektorët, veçanërisht në energjetikë, tha sot ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski i cili mbajti fjalim në sesionin “Digjitalizimi i sistemeve të energjisë – Përshpejtimi i veprimit përmes koordinimit dhe inovacionit” në kuadër të Forumit të 14-të ndërkombëtar të energjisë për zhvillim të qëndrueshëm i cili po mbahet në Shkup.
Andonovski, siç informoi kabineti i tij, theksoi nevojën për veprim të përbashkët dhe përpjekje të koordinuara në procesin e transformimit digjital dhe energjetik.
“Ne të gjithë arrijmë më shumë kur punojmë së bashku. Dallimet tona janë të rëndësishme, por njerëzimi ynë i përbashkët është edhe më i rëndësishëm”, tha ministri Andonovski, duke theksuar se digjitalizimi mund të përshpejtojë misionin e përbashkët për një të ardhme të qëndrueshme energjetike.
Sipas tij, digjitalizimi është ura që lidh kërkesën në rritje për energji dhe nevojën për dekarbonizim. Ai lejon që çdo vat, çdo kilovat-orë dhe çdo vendim politik, siç thekson të jetë më i zgjuar, më i pastër dhe më inkluziv.
Andonovski theksoi se digjitalizimi nuk është vetëm një proces teknik, por mënyrë e re e të menduarit dhe menaxhimit – duke lidhur të dhënat, institucionet dhe qytetarët në dobi të politikave të qëndrueshme dhe energjisë së gjelbër.
Ministri Andonovski prezantoi progresin ku Maqedonia e Veriut e ka bërë në transformimin digjital përmes tre sistemeve kryesore: Platformës kombëtare të ndërveprimit e cila lidh 74 institucione dhe mundëson mbi 2 milionë transaksione të sigurta në muaj – një rritje prej 160 për qind krahasuar me vitin e kaluar; Portali kombëtar i shërbimeve elektronike – uslugi.gov.mk, përmes të cilit qytetarët marrin shërbime publike onlajn dhe Sistemit elektronik të menaxhimit të dokumenteve (eDMS) i cili ka zëvendësuar operacionet në letër në mbi 80 institucione. Sipas tij, këto sisteme nuk janë vetëm mjete administrative, ato janë themeli i menaxhimit efikas, integritetit të të dhënave dhe transparencës.
Andonovski informoi se Ministria e Transformimit Digjital në bashkëpunim me Ministrinë e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale ka digjitalizuar tashmë më shumë se 20 shërbime publike për qytetarët dhe bizneset, si dhe ka futur sisteme të integruara të dokumenteve dhe planifikimit financiar.
Ministri prezantoi gjithashtu gjeneratën e re të iniciativave digjitale në energji: Qendrën kombëtare për inteligjencën artificiale – “Vezilka” e cila zhvillon modele të AI-së për mirëmbajtjen parashikuese të infrastrukturës energjetike dhe parashikimin e kërkesës; Qendrën evropiane të inovacionit digjital – INNOFEIT e cila lidh akademinë dhe sektorin privat dhe ofron qasje në laboratorë dhe trajnime në inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike dhe automatizimin. Këto iniciativa janë pjesë e strategjisë SMART/MK 2030, një vizion për transformim digjital, të gjelbër dhe të përqendruar te njeriu, plotësisht në përputhje me Dekadën digjitale evropiane.
Sipas Andonovskit, transformimi digjital i sistemeve të energjisë kërkon koordinim rajonal dhe qasje të përbashkët.
Sfidat janë shumë komplekse për t’i zgjidhur çdo vend i vetëm. Kjo është arsyeja pse bashkëpunimi rajonal është shumëzuesi i suksesit tonë, deklaroi mes tjerash Andonovski.










