Ashtu si çdo vit, më 1 shtator po fillon viti i ri shkollor për të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të vendit tonë. Me këtë rast dëshirojmë që të gjithë nxënësve t’u urojmë fillim të mbarë dhe t’u dëshirojmë shumë shëndet, njohuri të reja, suksese dhe arritje të larta në procesin edukativo-arsimor.
Megjithatë, përkundër dëshirave tona të mira, edhe ky vit i ri shkollor po fillon me problemet e vjetra, të trashëguara nga vitet e kaluara, siç është mohimi i mësimit të nxënësve në gjuhën e tyre amtare, si e drejtë e tyre kushtetuese, mungesa e kushteve për mësim, mungesa e teksteve shkollore, ndërsa shumë prej teksteve të tjera edhe këtë vit do të jenë me gabime të shumta përmbajtjesore, gjuhësore, e madje edhe urrejtjenxitëse dhe me paragjykime etnike.
Kështu dhe ky shtator do t’i gjejë nxënësit e Vizbegut, Bllacës e të Idrizovës pa objekte shkollore në vendbanimet e tyre, një fakt që si duket nuk i brengos fare drejtuesit e qeverisë, sepse ata edhe këtë vit vazhdojnë të mos merren me probleme të këtilla “minore”, duke i zgjidhur çështjet globale si lufta në Ukrainë, ndërsa nxënësit e këtyre vendbanimeve edhe këtë vit do të duhet do të duhet të durojnë dhe të gjenden ashtu si janë gjendur deri më tani.
Sikur të mos mjaftojë kjo, nga përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është konfirmuar mungesa e librave për nxënësit e klasave të treta dhe të gjashta, të cilët thonë se kjo vonesë do të jetë e vogël, por nëse u besojmë veprimeve dhe jo fjalëve të qeverisë, duke gjykuar nga përvoja e vitit të kaluar, kur një pjesë e teksteve arritën në muajin qershor, nxënësit e këtyre klasave edhe sivjet nuk do të kenë libra dhe do të mësojnë sërish me tekste të fotokopjuara, shpenzimet e të cilave kuptohet se do të bien mbi kurizin e prindërve të tyre.
Prandaj prej këtu po i përkujtojmë përgjegjësit e politikave arsimore në vendin tonë se mungesa e librave, përkatësisht vonesa e tyre, është në dëm të nxënësve dhe në dëm të dijes, ndërsa kjo krijon zbrazëtira të pashlyeshme te nxënësit, të cilat do të ndikojnë pa dyshim dhe në rezultatet që nxënësit i tregojnë në testimet e ndryshme vendore e sidomos ato ndërkombëtare, ku shteti ynë jorastësisht është ranguar në vendet e fundit nga të gjitha shtetet llogaritura në këto testime.
Sigurisht se përgjegjësia për këtë paaftësi dhe papërgjegjshmëri bie mbi Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Nëse ata ia duan të mirën nxënësve dhe nëse brengosen për ardhmërinë e tyre, më e mira është që sa më shpejt të tërhiqen dhe të pranojnë se janë të paaftë të zbatojnë politika arsimore dhe t’ua lënë vendin atyre që me të vërtetë brengosen për të ardhmen e fëmijëve dhe të shtetit tonë. Sepse, gjithmonë ka alternativë.
https://www.facebook.com/AlternAtivAAutentikAutoktonAutonom/videos/327192489664732