Shefi i shtabit qendror të VLEN-it Adnan Azizi, në një intervistë për TV Koha, ka folur për zgjedhjet lokale. Ai tha se fitorja në Komunën e Çashkës është fitore e përbashkët e jo e AKI-së. Azizi tha se në Çashkë ka më shumë aktivistë të VLEN-it sesa të BDI-së.
“Çashka nuk është e BDI-së. Aktivistët atje janë më shumë tanët, sesa të BDI-së. Ata na kërkuan që ne të nxjerrim kandidat aty dhe unë i pyeta nëse ne nxjerrim kandidat a do të ketë kandidat edhe BDI, ata thanë po. Unë u thash që të dakordohemi dhe të shkojmë me një kandidaturë, e cila do të na sigurojë fitore. Pas fitores, kandidati asnjëherë nuk tha se është i AKI-së, por tha jam kandidat i përbashkët. Por, ata si oportunist që janë, edhe kësaj komune mundohen t’i dalën për zot, por realiteti është se kjo komunë është fituar nga gjithë shqiptarët atje, e jo në bazë të llogove partiake”, tha Azizi.
Ai foli edhe për ankesat e dorëzuara nga VMRO dhe LSDM për këtë komunë, duke thënë se nga informacionet që ai ka, nuk ka pasur asnjë parregullsi dhe bëri thirrje që të respektohet vullneti i popullit.
“Ne jemi në mbështetje të verdiktit të popullit, atje nuk ka asnjë shkelje ligjore për ët shkuar në rivotim. Megjithatë është KSHZ që duhet të procesojë me situatën dhe të marrë vendim. Por informacionet që unë kam, të gjitha procesverbalet janë nënshkruar pa vërejtje. Verdikti i popullit duhet të respektohet”, tha Azizi.