Shefi i shtabit të koalicionit VLEN, Adnan Azizi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili sipas tij ka ofenduar shqiptarët që votuan për opozitën.
Në një postim në rrjetet sociale, Azizi ka theksuar se në vend që drejtuesit e BDI-së të tregojnë “pak burrni” pas humbjes së thellë në zgjedhjet e fundit, ata kanë zgjedhur të fyejnë votuesit shqiptarë.
“Në vend që të tregonin pak burrni pas humbjes 11:1, të reflektojnë dhe të reformohen, gjithë ata shqiptarë që votuan VLEN-in i quan të sëmurë me sindrom të Gazimestanit,” – ka shkruar Azizi.
Duke iu referuar deklaratave të mëhershme të Ahmetit, Azizi kujtoi se ky nuk është hera e parë që kreu i BDI-së përdor fjalor ofendues ndaj kundërshtarëve politikë.
“Herën e parë i quajti çakej, lakej, zagarë dhe fituat vetëm 1 komunë. Tani do t’i humbni të gjitha me rezultat edhe më të thellë, bile në Tetovë humbjen do ta keni me 10 mijë vota diferencë,” – shtoi ai.
Sipas Azizit, shqiptarët tashmë kanë dhënë verdiktin e tyre politik dhe nuk i pranojnë më fyerjet e BDI-së.
“Shqiptarët e dhanë verdiktin, nuk i durojnë sharjet, fyerjet dhe ofendimet tuaja,” – përfundon reagimi i tij.










